PRiPING nënshkruan marrëveshje me Katror Media

PRiPING nënshkruan marrëveshje me Katror Media

Katror Media dhe Klubi i Pingpongut Priping nënshkruan të premten një marrëveshje bashkëpunimi për të promovuar sportin vendor, konkretisht pingpongun në kryeqytet.

Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë pingpongistët e rinj nga Prishtina dhe jo vetëm, të cilët përveç se do të motivohen për të luajtur pingpong, do të mbështeten dhe promovohen nga të dy organizatat.

Kryetari i Klubit kryeqytetas të Pingpongut Priping, Kastriot Orana, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen.

“Sot e nënshkrujtëm marrëveshjen e bashkëpunimit me Katror Media me qëllim te promovimit të sportit të pingpongut me fokus ne angazhimin e vajzave në sport duke pasur parasysh që ka rënë numri i vajzave pjesëmarrëse në pingpong. Po ashtu për promovimin e kauzave te ndryshme të cilat do t’i organizojmë së bashku me organizatën Katror Media. Klubi PRiPING është i hapur për bashkëpunim me te gjitha shoqatat që kontribuojnë në të mirën e qytetarëve” tha Orana

Drejtori Ekzekutiv i Katror Media Muhamet Jashanica vlerëson se me marrëveshjen e sotme Katror Media si medium unik që promovon aktivizmin qytetar dhe suksesin e individëve gjithandej në Kosovë dhe jo vetëm, po e plotëson misionin e vet.

“Kjo marrëveshje na obligon që të angazhohemi në promovimin e sportistëve vendorë, punë që ne si Katror e bojmë me qejf. Prishtina ka shumë pingpongist/e të talentuar që kanë gjet’ vend në klubin madhështor Priping, e në klubet simotra të kryeqytetit. Pra do të jetë qejf puna në promovimin e këtij sporti dhe sportistëve të talentuar. Në anën tjetër ajo që unë po e konsideroj po ashtu si një lajm tejet të mirë është që ne fillimisht do të ndihmojmë në riaktivizimin e klubit të pingpongut për meshkuj në Bardh të Madh dhe angazhim në themelimin e klubit për vajza ku edhe fëmijët por edhe grupmoshat tjera do të kenë mundësi të merren me këtë sport në fshatin jo larg Prishtinës, me një traditë shumëvjeçare të brezave të ndryshëm në pingpong” u shpreh Jashanica.

Në marrëveshjen e nënshkruar të dy palët kanë shprehur interesimin për bashkëpunim në pikat në vijim:

  • Promovimi i sportit të pingpongut;
  • Promovimi i kauzave të ndryshme në të mirë të shoqërisë kosovare;
  • Organizimi i turneut të pingpongut për gazetarët vendorë;
  • Organizimi i eventeve të përbashkëta për promovimin e sportit për vajza;
  • Angazhim dhe ndihmesë në ri-aktivizimin e klubit të pingpongut të meshkujve dhe themelimi i klubit të vajzave në Bardh të Madh. Masovizimi i pingpongut në komunën e Fushë Kosovës;
  • Angazhimi i organizatave gjegjëse për gjetjen e mundësive për ndërtimin e sallës së pingpongut në Bardh të Madh.