Partneriteti mes Growzillas dhe Klubit të Pingpongut Priping, ka sjellur frutet e para të bashkëpunimit duke prezantuar logon e re të turneut ndërkombëtar të pingpongut “Prishtina Open 2024”, turne që do të mbahet gjatë muajit qershor në Prishtinë.
KPP Priping një nga promovuesit më të mëdhenj të sportit të pingpongut në rajon, ka zbuluar logon e re të punuar nga stafi i Growzillas, për turneun prestigjioz “Prishtina Open 2024”. Ky veprim simbolizon jo vetëm rritjen dhe zhvillimin e klubit, por edhe përkushtimin e Priping ndaj promovimit të pingpongut si një sport të dashur për të gjithë.
Lansimi i logos së re të Prishtina Open 2024 u bë sot përmes kanaleve zyrtare të klubit të pingpongut Priping. Logoja, e cila përfaqëson një kombinim të qendrës sportive “Pallati i Rinisë” ku edhe do të mbahet turneu nderkombëtar dhe tabelës së pingpongut përmes dinamizmit, reflekton vlerat dhe aspiratat e Klubit “Priping” dhe turneut “Prishtina Open”. Me ngjyrat e kryeqytetit dhe dizajn modern, logoja simbolizon unitetin dhe pasionin për sportin e pingpongut, duke ofruar aktivitet sportive në frymën evropiane në Prishtinë.
Turneu “Prishtina Open 2024” pritet të jetë një ngjarje e rëndësishme në kalendarin sportiv kur Prishtina këtë vit është edhe “Qytet Evropian i Sportit” dhe jo vetëm si një platformë për sportistët për të demonstruar aftësitë e tyre, por edhe si një mundësi për të promovuar Prishtinën si qytet evropian dhe një event për bashkim dhe këmbim kulturor. Organizatorët besojnë që logoja e re do të bëhet një simbol i njohur që përfaqëson shpirtin e garës dhe miqësinë që karakterizon “Prishtina Open”.
Me këtë hap, Klubi i Pingpongut Priping vendos një standard të ri për organizimin e eventeve sportive në Kosovë, duke u bërë një shembull i përkushtimit ndaj ekselencës dhe zhvillimit të sportit. Fansat e pingpongut dhe pjesëmarrësit tani kanë edhe më shumë arsye të presin me padurim turneun “Prishtina Open 2024”, i cila pa dyshim do të jetë një ngjarje e paharrueshme për të gjithë ata që do të jenë pjesë e saj.