Në prag të Ditës Botërore të Pingpongut, Klubi i Pingpongut Priping dhe Akademia Ora kanë njoftuar një partneritet të rëndësishëm që synon të zgjerojë dhe të zhvillojë pingpongun si një sport në rritje në kryeqytetin e Kosovës. Kjo marrëveshje, e cila u nënshkrua nga Valon Hoxha, Drejtor i Akademisë Ora, dhe Kastriot Orana, Kryetari i Klubit Priping, shënon një hap të madh për të inkurajuar pjesëmarrjen dhe interesin në pingpong në mesin e të rinjve.
Në një deklaratë të përbashkët, të dy organizatat shprehin entuziazmin e tyre për potencialin që ky bashkëpunim ofron për të dyja palët. Akademia Ora, e njohur për angazhimin e saj ndaj edukimit dhe aktiviteteve jashtë mësimore, do të ofrojë hapësira në ambientet e saj shkollore për zhvillimin e sportit. Këto hapësira do të shërbejnë si qendra trajnimi për të rinjtë që duan të mësojnë dhe të përsosin aftësitë e tyre në pingpong.
Ndërkohë, Klubi i Pingpongut Priping, i cili ka për qëllim masivizimin dhe profesionalizimin e pingpongut në Prishtinë, do të ofrojë kurse dhe programe trajnimi për rreth 50 nxënës të Akademisë Ora që kanë shprehur tashmë interesim për këtë sport. Këto programe synojnë të përgatisin nxënësit jo vetëm për pjesëmarrje në aktivitete lokale, por edhe për garat e rregullta të organizuara nga Federata e Pingpongut të Kosovës.
Marrëveshja pritet të ketë një impakt të madh në zgjerimin e bazës së lojtarëve të pingpongut në rajon, duke krijuar mundësi për të rinjtë të angazhohen në një aktivitet që promovon jo vetëm shkathtësi fizike, por edhe aftësi mendore siç janë përqendrimi dhe strategjia. Gjithashtu, kjo iniciativë do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe popullaritetit të pingpongut si një mundësi rekreative dhe konkurruese.