Prishtina Open 2025 – një turne ndërkombëtar që shkëlqeu në zemër të kryeqytetit

Prishtina Open 2025 – një turne ndërkombëtar që shkëlqeu në zemër të kryeqytetit

Turneu ndërkombëtar i pingpingut Prishtina Open 2025 është përmbyllur me sukses të jashtëzakonshëm, duke e kthyer Prishtinën për tre ditë me radhë në qendër të pingpongut evropian e botëror. Me pjesëmarrjen e qindra lojtarëve nga mbi 25 shtete dhe një organizim në nivel të lartë organizativ, teknik dhe logjistik, edicioni i sivjetshëm konfirmoi statusin e turneut si ngjarja më e madhe e këtij lloji në vend dhe një prej më të rëndësishmeve në rajon.

Dita e parë – emocione, profesionalizëm dhe fillimi i garave

Turneu u hap me një atmosferë mbresëlënëse ku zhvilluan një ndeshje miqësore më i riu i turnuet Jon Matoshi 5 vjecar dhe më i vjetri veterani Shaip Recica 80 vjecar, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ambienti ishte i përgatitur me përpikëri, me elemente vizuale të pasura dhe koreografi që i dhanë ngjarjes një pamje dinjitoze dhe ndërkombëtare. Në ditën e parë garuan grupmoshat U19 dhe veteranët, me duele të forta dhe fitues që vinin nga vende të ndryshme. Në konkurrencën U19, fitues dolën Georgia Spanau (Greqi) te femrat dhe Max Radiwen (Britani e Madhe) te meshkujt. Te veteranët, shkëlqeu Sheshivar Veliu, i cili dominoi në dy kategori të ndryshme të moshës.

Dita e dytë – dominim kosovar te U13 dhe emocione në rritje

Kategoria U13 i dha ditës së dytë një energji të veçantë, me dominim të plotë nga lojtarët e rinj nga Kosova. Rejan Krasniqi (KPP TTC Ferizaj) u shpall kampion pas një finale dramatike kundër Olti Behlulit (KPP Ahmet Hoxha), ndërsa Imran Duraki (KVPP Prizreni) zuri vendin e tretë. Te vajzat, Stojanovska (Maqedoni) doli kampione duke fituar ndaj Sara Hoxhës (Kosovë), me Ana Kokoneshi (Shqipëri) që plotësoi podiumin.

Në mbrëmje nisën edhe garat për seniorët, ku konkurrenca ndërkombëtare u ndje edhe më fuqishëm me pjesëmarrje nga një numër i madh shtetesh evropiane dhe më gjerë.

Dita finale – spektakël ndërkombëtar dhe sukses për Kosovën

Dita e tretë e turneut solli ndeshje të shkëlqyera në të gjitha kategoritë, me një interes të lartë të publikut që mbushi tribunat e palestrës. Në kategorinë U11, u dallua Adena Berisha te vajzat dhe Dimitar Bozhkov (Bullgari) te djemtë.

Te seniorët, Lenë Osmani ishte krenaria e Kosovës duke arritur në gjysmëfinale dhe duke fituar vendin e tretë pas një paraqitjeje të shkëlqyer. Kampionia e turneut te femrat u shpall Mavra Kontopoulou (Greqi) ndersa finaliste Chrysi Fotiadou (Greqi). Te meshkujt, finalja u zhvillua mes Aleksandër Chen (Austri) dhe Patrick Dzuba (Poloni), me Chen që doli kampion. Vendin e tretë e fitoi Leo Vekic (Kroaci).

Turneu u përmbyll me shpërndarjen e medaljeve, kupave dhe çmimeve financiare për fituesit – 5500€ për të gjithë fituesit. Përveç nivelit të lartë sportiv, Prishtina Open 2025 theksoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në sport dhe fuqizoi imazhin e Prishtinës si një qytet mikpritës për ngjarje të mëdha.