Pingpongu dhe kanceri i gjirit

Pingpongu dhe kanceri i gjirit

Muaji Tetor ndryshe njihet edhe si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ai ndihmon në
rritjen e vëtëdijes dhe mbështetjes për ndërgjegjësimin, zbulimin dhe trajtimin e hershëm, si dhe
kujdesin ndaj kësaj sëmundjeje. Pasi që është një betejë e vështirë për t’u fituar, personave të
diagnostifikuar me këtë sëmundje u duhet një përkrahje e madhe e gjithashtu ndihmë në aspekte të ndryshme. Njëra prej mbështetjeve që mund të ofrohet është aktiviteti fizik, i cili ka përparësi të madhe në këtë fushë.


Ushtrimet fizike janë një nga gjërat më të rëndësishme që personat e diagnostifikuar me kancer
të gjirit mund të praktikojnë për të qëndruar të shëndetshëm. Hulumtimet e shumta kanë treguar
se gratë, të cilat ushtrojnë kanë një cilësi të përmisuar të jetës dhe kanë më pak efekte anësore
gjatë dhe pas trajtimit. Gjithashtu disa studime sugjerojnë që ushtrimet mund të zvogëlojnë
shanset e përsëritjes së kancerit të gjirit. Njëri prej sporteve që mund të aplikohet më së lehti dhe është mjaft i përshtatshëm për këta persona është pingpongu. Pasi që lëvizjet që përmbajnë këtë sport dhe benefitet që ka si në shëndetin fizik dhe atë mendor janë ideale për të ndihmuar në luftimin e kësaj sëmundjeje.


Disa nga efektet pozitive që sjell pingpongu në këtë drejtim janë:


 Ndihmon në shmangien ose zvogëlimin e disa efekteve anësore të trajtimit të kancerit, si
lodhja, shtimi i peshës, osteoporoza dhe limfoedema;
 Përmison shëndetin tuaj afatgjatë duke zvogëluar rrezikun e sulmeve në zemër dhe
goditjet në tru;
 Ndihmon mirëqenien tuaj mendore duke zvogëluar ankthin, stresin, depresionin dhe
përmison humorin tuaj;
 Parandalon ose zvogëlon humbjen e tonit të muskujve dhe gjendjen e përgjithshme fizike
që mund të ndodh gjatë dhe pas trajtimit
 Siguron stërvitje aerobike që përfshin pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit.


Përveç të mirave që sjell pingpongu në shëndetin fizik rëndësi të madhe i kushtohet edhe
ndikimit që ka ky sport në shëndetin mendor. Sipas një studimi japonez të imazhit të trurit është
zbuluar se pingpongu ndihmon në ekuilibrimin e tij. Ashtu siç thotë neuroshkencëtari klinik, Dr.
Daniel Amen se pingpongu është sporti më i mirë i trurit dhe duke e përshkruar atë si shah
aerobik. Gjithashtu pingpongu do t’u ndihmoj të gjeni shoqëri të re dhe të kaloni kohë të mirë me
ta, sepse edhe shoqëria luan një rol të madh në përballjen me sëmundjen.


Para se të filloni çfarëdo lloj të aktivitetit fizik konsultoni me mjekun tuaj e pastaj praktikoni ato
aktivitete dhe ju do të shihni efektin pozitiv që do të sjellin ato. Beteja me sëmundjen e kancerit
të gjirit nuk është e lehtë, përkundrazi është një sfidë mjaft e vështirë, por me optimizëm, besim
dhe guxim mund të bëni ndryshime pozitive gjatë rrugëtimit drejt fitores. E ne si klub i
pingpongut ju ftojmë të bëheni pjesë e familjes sonë (Klubit Priping), ku do të keni mundësi të
vini të luani pingpong dhe të ndiheni si në shtëpinë tuaj!