Më 14 janar 2021 – Prishtinë, Klubi i Pingpongut Priping ka mbajtur zgjedhjet e brendshme ditën e sotme, ku ka zgjedhur kryesinë e re të klubit.
Gjatë punimeve të Kuvendit Zgjedhor të Klubit të Pingpongut Priping, të mbajtur sot përmes platformës online është zgjedhur kryesia e re e klubit. Me unanimitet delegatët e këtij kuvendi ia kanë besuar postin e kryetarit pingpongistit Kastriot Orana.
Pas përzgjedhjes së Kastriot Orana në postin e kryetarit të ri në krye të Priping, ai ka propozuar anëtarët e bordit para delegatëve ku pas disa diskutimeve anëtarë të bordit u votuan Mirsada Nikci, Artan Bajrami, Lulzim Sahiti dhe Gentian Rizaj.
Kryetari i sapo zgjedhur falenderoi të gjithë delegatët për besimin e dhënë për të udhëhequr klubin Priping dhe me theks të veçantë falenderoi kryetarin e deritanishëm z.Nehat Çitaku për punën e bërë deri tani si në klubin e pingpongut Priping, gjithashtu edhe për masovizimin e sportit të pingponut në Kosovë. Më pas ai prezantoi planin dhe strategjinë e klubit Priping për vitin 2021, e cila u mirëprit nga të pranishimit.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Federatës së Pingpongut të Kosovës, nënkryetari z.Jeton Oruqi dhe Departamentit të Sportit të Komunës së Prishtinës, zyrtari i lartë i sportit z.Kushtrim Mushica, të cilët vlersuan lartë organizmin e kuvendit ne kohë pandemie, dhe përgëzuan Kastriotin për detyren e re, në krye të klubit të pingpongut Priping.
Kastriot Orana është lojtarë i pingpongut për më shumë se 15 vite, i cili ka përfaqësuar Kosovën si dhe klubet e Prishtinës në garat rajonale dhe ndërkombëtre. Në vitet e fundit (2016-2020) ka shërbyer si anëtar i bordit në Federatën e Pingpongut të Kosovës si dhe ka qenë kryesues i komitetit për marrëdhënie me jashtë.
Kastrioti është ekonomist i diplomuar dhë në përfundim të magjistraturës dhe është i angazhuar me punë në fondacionin amerikan Millennium Foundation Kosovo.