Fuqizimi i femrës është proces, i cili përcaktohet në disa mënyra, të cilat janë përfshirja e grave në vendimarrje dhe aktivitete të ndryshme në shoqëri, ngritja e statusit të tyre përmes arsimimit dhe pranimi i pikëpamjeve të tyre. Duke u arritur ky fuqizim fitohet edhe barazia gjinore, përmes së cilës reduktohen probleme të shumta sociale me të cilat ballafaqohet njerëzimi. Fuqizimi i grave është bërë një temë e rëndësishme diskutimi në fusha të ndryshme, e njëra ndër to është edhe sporti. Ku ky i fundit shihet si një mundësi shumë e mirë për të fuqizuar femrat.
Sporti është një mjet i duhur i fuqizimit të grave dhe vajzave, sepse sfidon normat gjinore të krijuara nga shoqëria. Pjesëmarrja në sport u ofron vajzave mundësi të shumta për të ndërtuar guximin, vetëvlerësimin dhe vetë-efikasitetin e tyre. Pasi që përmes sportit ato marrin pozicione drejtuese dhe përmes programeve të ndryshme sportive rritet besimi i vajzave në aftësitë e tyre. Ku nga kjo kuptojmë të mirat që sjell sporti në jetën e përditshme. Ai inkurajon vajzat të ndërmarrin iniciativa, të ngrisin zërin e tyre dhe të provojnë gjëra që më parë nuk janë supozuar të mundshme nga një femër.
Njëri prej sporteve përmes së cilit mund të arrihet fuqizimi i femrës dhe barazia gjinore është sporti i pingpongut. Ai është njëri prej sporteve me barazi më të madhe gjinore, sepse nuk është krijuar në favor vetëm të një gjinie. Pasi që ju nuk keni nevojë të jeni shumë të gjatë apo të keni muskuj të pamasë që të praktikoni sportin e pingpongut, pasi që ekzistojnë shumë aftësi të tjera në sportin e pingpongut dhe pamja fizike nuk është përcaktuesi i një pingpongisti të mirë. Kështu që, atë mund ta praktikojnë të gjithë e në këtë rast edhe femrat. Pasi që pingpongu është një platformë e fuqishmë e përforcimit të lidhjeve shoqërore, angazhimin e komunitetit dhe promovimin e mesazheve pozitive. Fitoret në këtë sport, nuk mbarojnë vetëm aty, por përcillen edhe në jetën e përditshme. Pra, një fitore të dërgon tek një fitore tjetër.
Pjesëmarrja e vajzave në sportin e pingpongut nuk është shumë e madhe andaj është synimi ynë që të rrisim këtë pjesëmarrje e kështu të rrisim jo vetëm vlerat dhe rëndësinë e këtij sporti, por edhe vlerat që posedojnë vajzat, të cilat praktikojnë pingpongun. Tani është koha e duhur të fillojmë në realizimin e një ndryshimi pozitiv për të cilin duhet punuar të gjithë, sepse së bashku jemi më të fortë.
Beteja për barazi gjinore nuk ka mbaruar, mirëpo kësaj beteje po i bashkangjitet edhe sporti i pingpongut. Pra, le të kombinojmë forcat tona për të arritur rezultate jashtëzakonisht të shkëlqyera përmes sportit dhe kështu të bëjmë ndryshime në jetën e secilit prej nesh.
Anila Shala