Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi

Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi

Sot më 8 Mars shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas. Ditë simbolike e rrugëtimit historik që gratë në të gjithë botën kanë bërë për të përmirësuar jetën e tyre. Datë kjo që rikujton arritjet e gruas dhe rëndësinë e saj, mirëpo udhëtimi është i gjatë dhe duhet bërë shumë më tepër.

Njëra prej synimeve, që përmban ky udhëtim është barazia gjinore. Çështje, e cila diskutohet me vite dhe për të cilën luftohet akoma, sepse barazia gjinore nuk është vetëm një e drejtë themelore e njeriut, por një themel i domosdoshëm për një botë paqësore, të qëndrueshme dhe me prosperitet. Gjatë dekadave të fundit ka pasur progres në këtë aspekt, por ka ende pabarazi të mëdha në disa rajone e disa fusha të caktuara. Në njërën prej këtyre fushave, e cila ka nevojë për përmisim është bota e sportit, në këtë rast sporti i pingpongut. Sporti është një nga drejtuesit më të mëdhenj të barazisë gjinore. Përmes tij gratë dhe vajzat mësojnë punën në grup, fitojnë vetëbesim dhe qëndrueshmëri.

Klubi Priping dhe Prishtina Femrat nga Prishtina me fillimin e këtij viti i janë përkushtuar çështjes së fuqizimit të gruas duke u munduar të përfshij sa më shumë femra në klub dhe ky qëllim është në arritje e sipër. Pasi që klubeve u janë shtuar disa lojtare të reja femra, prej të cilave priten suksese të mëdha. Jo vetëm suksese gjatë garave, por suksese në arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas. Lojëtaret e klubit Priping dhe Prishtina Femrat do të jenë modele frymëzuese për vajzat e tjera dukes sfiduar stereotipat gjinorë dhe normat shoqërore. Duke vërtetuar rëndësinë që ka femra jo vetëm në sport, por edhe në shoqëri me virtytet që posedon.

Për të rritur numrin e vajzave, të cilat praktikojnë sportin e pingpongut në mënyrë që të promovojmë së bashku barazi gjinore përmes pingpongut e gjithashtu për të iu ndihmuar vajzave të reja të ngriten në sfera të ndryshme të jetës, sepse benefitet e pingpongut janë të shumta; klubet kanë vendosur që për vajzat nga mosha 7 deri 13 çmimi të jetë gratis. Arsyeja e këtij vendimi është gjithëpërfshirja e vajzave, duke minimizuar përqindjen e vajzave që nuk kanë çasje në sporte dhe profile tjera rekreacionale.

Sporti ka fuqinë e ndryshimit të jetës të të gjithë atyre, që e praktikojnë. Këtu bën pjesë edhe pinpongu, ku përmes tij të gjithë së bashku; gra, vajza, burra e djem do të fitojmë betejën shekullore të arritjes së një barazie gjinore.

Kjo luftë u përket të gjithëve, andaj bëhu edhe ti pjesë e jona dhe të triumfojmë të gjithë përmes pingpongut. Sepse vetëm të bashkuar mundemi t’ia dalim!

Anila Shala