Presidentja Jahjaga pret në takim përfaqësuesit e klubeve Priping dhe Prishtina Femrat

Presidentja Jahjaga pret në takim përfaqësuesit e klubeve Priping dhe Prishtina Femrat

Sot më 31 Mars u mbajt një takim nga ish Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga me përfaqësuesit e KPP Priping dhe KPP Prishtina Femrat rreth organizimit të Ditës Botërore të Pingpongut. Ditë kjo, e cila shënohet me 6 Prill.

Këtë vit tematika kryesore e Ditës Botërore të Pingpongut do të jetë fuqizimi i gruas, në këtë rast fuqizimi i gruas përmes sportit të pingpongut duke rritur numrin e vajzave që praktikojnë këtë sport. Rreth kësaj çështjeje u diskutua edhe sot në takim, ku znj. Jahjaga shfaqi një interesim të madh rreth organizimeve që priten të zhvillohen atë dite.

“Fuqizimi i gruas është një çështje me të vërtetë e rëndësishme, për të cilën duhet angazhuar çdo indvid dhe çdo institucion në mënyrë që të luftojmë për barazinë gjinore. Gjithashtu jam me të vërtetë e kënaqur që ju si klube të pingpongut, përmes sportit që përfaqësoni po përpiqeni të bëni ndryshim në këtë aspekt”, u shpreh Jahjaga.

Lufta me barazinë gjinore ka qenë dhe vazhdon të jetë ende e theksuar si në vendin tonë ashtu edhe në botë, e sidomos në fushën e sportit. Këtë e tregoi edhe më mirë kryetarja e Klubit Prishtina Femrat, Besire Domaniku.

“Mospjesëmarrja e vajzave në aktivitete sportive fatkeqësisht ende është problem në vendin tonë dhe në mënyrë që të rrisim numrin e vajzave në sportin e pingpongut, Klubi Prishtina Femrat ka vendosur që të largoj nga pagesa vajzat e interesuara të ushtrojnë këtë sport dhe kështu të mundohemi t’i fuqizojmë ato sa më shume”, tha Domaniku.

Në mënyrë që synimet e shprehura të arrihen Klubi Priping në bashkëpunim me Klubin Prishtina Femrat kanë vendosur të organizojnë një event të martën për nder të Ditës Botërore të Pingpongut, ku njëherazi pjesëmarrëse do të jetë edhe ish Presidentja. Më shumë rreth organizimit të eventit njoftoi, Kastriot Orana, njëherazi kryetar i KPP Priping.

“Organizimi i planifikuar përveq që po mbahet për të shënuar Ditën Botërore të Pingpongut ka për synim edhe rritjen e vetëdijes tek të gjithë qytetarët, që të motivojnë sa shumë vajzat të filojnë të praktikojnë sportin e pingpongut dhe sportin në përgjithësi. Dhe jemi shumë të lumtur që organizimit po i bashkangjitet edhe znj. ish Presidente, sepse ajo përfaqëson në mënyrë të denjë zërin e fuqishëm të gruas”, shpjegoi Orana.

Pra, të martën me 6 Prill përmes organizimit të planifikuar pritet të përcillet një mesazh shumë i madh, që është rëndësia e fuqizimit të gruas në shoqëri dhe arritja e këtij fuqizimi përmes pingpongut.

Anila Shala