Ambasadorja kroate në Kosovë falenderon Priping dhe RCPNB

Ambasadorja kroate në Kosovë falenderon Priping dhe RCPNB

Ambasadorja kroate në Kosovë ka falenderuar KPP Priping dhe RCPNB për organizmin e turneut Play and Pray for Coratia.

Turneu “Play and Pray for Croatia Table Tennis Tournament” i organizuar nga Klubi i Pingpongut Priping në bashkëpunim me Rotary Club Prishtina Newborn (RCPNB) më 16 Janar është përgëzuar dhe pëlqyer shumë si iniciativë. Përveç komenteve të mira që pati ky organizim nga udhëheqësit e klubeve rotariane dhe qytetarëve, ai është komentuar edhe nga ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišič.

Përmes një letre drejtuar Presidentit të klubit Priping, Kastriot Oranës dhe presidentes së Rotary Club Prishtina Newborn Arijeta Pajazitit, ajo shprehu mirënjohjen për përkrahjen dhe ndihmën që kanë dhuruar përmes organizimit të një turneu të pingpongut.

“Thuhet se një mik i vërtetë ndihmon kur ke nevojë për ndihmë dhe me këtë ju keni dëshmuar miqësinë e gjatë midis vendeve tona dhe njerëzve tanë”, tha Barišič në letrën e saj.

Gjithashtu edhe një herë përmes kësaj letre ajo shprehu falenderemin e madh që kishte për këtë organizim, që kishte synim të ofronte ndihmë për personat e prekur nga tërmeti që ka goditur Kroacinë.