Pse të luash PING PONG është e shkëlqyeshme për trurin?

Pse të luash PING PONG është e shkëlqyeshme për trurin?

“Sepse pingpongu është aktiviteti i përsosur për të ju mbajtur të lumtur, të shëndetshëm, aktiv
dhe me humor të mirë”, ka pohuar Dr. Stoppard në njërin nga artikujt në blogun e saj. Dhe këtë
konstatim e përkrahin edhe studimet e tjera të përfunduara rreth kësaj çështjeje nga profesionistë
të fushës së fizilogjisë, neurologjisë e psikologjisë. Sipas studimeve të tyre pingpongu është
aktiviteti i duhur për të mbajtur mirë veten, sepse ky sport jo vetëm që mban në formë trupin
tuaj, por edhe trurin. I gjithë bashkërendimi i ndërlikuar mes syve dhe duarve që ndodh gjatë
lojës së pingpongut vepron në mënyrë magjike në qelizat e trurit dhe ndihmon në parandalimin e
demencës (një çrregullim kronik ose i vazhdueshëm i proceseve mendore të shkaktuara nga
dëmtimi i trurit).


Dr. Wendy Suzuki, profesoreshë e neuroshkencës dhe psikologjisë në Universitetin e New York,
shpjegoi se pingpongu ndihmon në zgjerimin e funksioneve motorike, përmisimin e strategjisë
dhe përmisimin e kujtesës afatgjate. Sipas saj, ky sport ndikon në pjesët e trurit që janë
përgjegjëse për lëvizjen, aftësitë motorike të shkëlqyera dhe strategjinë. Gjithashtu këto fusha
mund të forcohen me çdo lojë pingpongu. Në anën tjetër shkencëtarët ende nuk kanë studiuar
aktivitetin e trurit të lojtarëve të pingpongut, studim ky i fundit që do të ishte shumë i
rëndësishëm në zbulimin e enigmave të shumta rreth këtij sporti, mirëpo prapë se prapë Dr.
Suzuki beson se kjo lojë rrit funksionin e trurit ndryshe nga çdo sport tjetër.


Përveç Dr. Stoppard dhe Dr. Suzuki, të cilat përmes studimeve të tyre ngritën vlerat dhe
rëndësinë e pingpongut edhe një tjetër studiues, Alessandro Moura Zagatto, njëherazi edhe
fiziolog zbuloi se stërvitjet e lojtarëve profesionist të pingpongut janë të krahasueshme me
kanotazhin dhe se ata shpenzojnë më shumë energji se lojtarët e gjuajtjes me hark dhe bowlingut.
Përveç kësaj është një nga sportet më të shpejta që kërkon qëndrueshmëri të muskujve dhe
kardio, pasi që ju duhen lëvizje të shkathëta të këmbëve dhe fleksibilitet të sipërm të trupit për të
kthyer topat që vijnë drejt jush me një shpejtësi shumë të madhe. Në këtë mënyrë pinpongu
kërkon kohë më të shpejtë të reagimit sesa tenisi apo badmintoni.


Si përfundim, pingpongu mund të tingëllojë si një sport i thjeshtë që nuk sjell shumë, por e
vërteta qëndron ndryshe. Përfitimet e tij janë të shumta, e mbase për disa prej tyre nuk keni
menduar asnjëherë dhe para se ta nënvlerësoni si sport duhet të keni parasysh të mirat që do të
sjell ky sport në jetën dhe shëndetin tuaj. Sporti të cilin vendosni ta praktikoni duhet të përmbush
dy kritere: pajtueshmërinë me nevojat tuaja fizike dhe sigurimin e përfitimeve të shëndetij tuaj. E
në këtë rast pingpongu i përmbush që të dy kriteret dhe çdokush mund ta luaj atë, madje edhe të
moshuarit.


Kur të filloni të praktikoni sportin e pingpongut do të ndiheni aq mirë sa do të vëreni se nuk doni
të hiqni dorë asnjëherë nga ai! Andaj mos hezitoni dhe provojeni sa më shpejt atë!

Anila Shala